Struga mirëpret ndryshimin - Fuqia e vullnetarizmit
- Adrion
- Jul 6, 2024
- 1 min read

Më 4 korrik 2024, Shoqata për Arsim dhe Kulturë "Adrion", në partneritet me WCI "Antiko" dhe me përkrahjen e Fitore Istrefi Alushi, përgjegjëse për kulturë në Komunën e Strugës, organizoi një punëtori të veçantë me temë: "Fuqia e vullnetarizmit; ndryshimi fillon me ty." Ky aktivitet i rëndësishëm u mbajt në Pallatin e Kulturës në Strugë dhe mblodhi së bashku nxënës të shkollave të mesme, gazetarë dhe aktivistë të organizatave joqeveritare.

Punëtoria ishte pjesë e projektit partner "Zëri dhe pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në: Krijimin e politikave publike dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për pjesëmarrjen qytetare." Ky projekt zbatohet nga Iniciativa Qytetare e Grave ANTIKO, Shkup, dhe partnerët e projektit: Shoqata Për Arsim dhe Kulturë ADRION, Zhelinë dhe Shoqata “Gjithmonë Bashkëjetesë,” f. Kanatlarci – Prilep, dhe mbështetet nga qeveria zvicerane përmes Civica Mobilitas.

Debatet dhe diskutimet në këtë punëtori ishin të larmishme dhe të fokusuara në vetëdijesimin e të rinjve që të hidhen në veprim për të bërë ndryshimin në komunitetin ku jetojnë dhe për të zhvilluar aftësitë dhe kreativitetin e tyre në përfitimet që do të kenë prej vullnetarizmit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë histori suksesi, të marrin pjesë në aktivitete praktike dhe të ndajnë përvojat e tyre.

Punëtoria rezultoi në rritjen e ndërgjegjësimit dhe interesit për vullnetarizëm, zhvillimin e aftësive të reja dhe krijimin e planeve konkrete për angazhim të mëtejshëm në projekte vullnetare. Ne falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët për angazhimin dhe kontributin e tyre.
Së bashku, mund të bëjmë ndryshimin!